Trajneri i ri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, propozoi një “mega-listë” me
27 emra për dy ndeshjet e parë ndërkombëtare të tij në stolin e
Kombëtares, ato kundër Portugalisë (zyrtare, 6 qershor) e Gjeorgjisë
(miqësore, 10 qershor).
Gjithsesi, Federata Shqiptare e Futbollit pranoi zyrtarisht se
lista është “punë e pastër” e ekspertëve të saj, kjo edhe për shkak të
kohës së pakët që pati në dispozicion trajneri Kuzhe, vetëm 7 ditë kohë
nga zyrtarizimi i tij në krye të bankinës kuqezezë.
Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ka grumbulluar 6 pikë po aq sa
Portugalia e Suedia, por që kanë ndeshje më pak se ne, e ndodhet në
vendin e pestë në Grupin 1, duke lënë pas vetëm Maltën.
Gjithsesi, është Portugalia ajo që vjen në Tiranë nën presion të
jashtëzakonshëm, qoftë për kujtimet e hidhura nga takimi i parë në
Braga (0-0), por dhe me urgjencën e tri pikëve për të shpresuar më pas
në kualifikimin për në Botëror.
Rikthimi i tre të përjashtuarve të mëdhenj, Erjon Bogdani (49
ndeshje, 9 gola), Edmond Kapllani (23 ndeshje, 6 gola) e Jahmir Hykës
(10 ndeshje), si dhe thirrja për herë të parë e talentit të Teutës,
Emiljano Vilës e kampionit të Tiranës, Jetmir Sefa, janë dhe risitë që
ofroi kroati.
“Viktima” e Ari Hanit, Jahmir Hyka, i cili si pjesë e efektivit të
Mainc 05, do të luajë sezonin e ardhshëm në Bundesligën 1, është në
“grupin e madh konkurrues” të mesfushës, ku janë emra të tillë si Ervin
Skela (heroi i Kotbusit) e Dorian Bylykbashi, kapiteni i Krivbasit në
Ukrainë, por dhe “mushkëri” të tilla si Ervin Bulku, por dhe virtuozë
si Gjergj Muzaka e Gilman Lika.
Në fakt, listës i mungon kapiteni Altin Lala (ende me një dëmtim të
lehtë), ndërkohë që për ndeshjen kundër Portugalisë rikthehet edhe
kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, ky i fundit mungoi kundër Danimarkës
për arsye të kartonëve të verdhë.
Kundër Kristiano Ronaldos me shokë do të jetë sërish në fushë
mbrojtësi Admir Teli, ndërsa Armend Dallku (ështnë listë) nuk do të
jetë kundër luzitanëve pasi është sërish i pezulluar, ashtu siç i
ndodhi në ndeshjen e parë në Braga.
Vija e parë e sulmit ka qenë një problem më vete në shtatë ndeshjet
ka qenë një problem më vete në “epokën Han”: vetëm 3 të tillë në 630
minuta lojë (të tre në fitoren 3-0 kundër Maltës), teksa vetëm një prej
tyre mban firmën e një sulmuesi, Erjon Bogdanit. Dy të tjerët kanë për
autorë mbrojtësin Armend Dallku e mesfushorin Klodian Duro.Ekspertët e FSHF-së (hartuesit realë të listës) i propozuan Kuzhesë
për repartin e avancuar dy nga lojtarët më prodhimtarë gjatë këtij
sezoni: Hamdi Salihin (13 gola me SV Ried në Austri) dhe Migen Memellin
(22 gola me Tiranën në Shqipëri, “këpuca e artë” e kampionatit që porsa
përfundoi).
Në pesëshen e sulmit nuk mund të mungonin as Besart Berisha, por
dhe siç e përmendëm më lart edhe Edmond Kapllanin (golashënuesi më i
mirë i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008, 5 gola) e Erjon
Bogdanin (golashënuesi më i mirë i eliminatoreve të Kampionateve
Botërore, 5 gola).
Kuzhe i ka kushtuar vëmendje kampionatit shqiptar: tetë futbollistë
në listën “eksperimentale”. Andi Lila, Ansi Agolli, Gjergji Muzaka,
Migen Memelli (të katërt të Tiranës), Elvin Beqiri (Vllaznia), Endri
Vrapi (Elbasani), Emiljano Vila (Teuta) dhe Elis Bakaj (Dinamo)
kompletojnë grupin “puro shqiptar”.
Në shtatë takimet e para, Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0),
barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e
Maltën (0-0, në La Valeta). Kemi humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest
e 0-1 në Tiranë) e Danimarkën (3-0 në Kopenhagen).