Albert Einstein, (shqip: Albert Ajnshtajn), (14 Mars 1879 – 18 Prill
1955) ishte një fizikant i cili llogaritet si një nga shkencëtarët më
të rëndësishëm të shekullit XX. Ai përcaktoi teorinë e relativitetit
dhe dha shumë kontribute në fushat e mekanikës kuantike, mekanikës
statistikore dhe kozmologjisë. Në vitin 1921 fitoi çmimin Nobel për
fizikë për shpjegimin e efektit fotoelektrik dhe për shërbimin në
fushën e "fizikës teorike".
Ajnshtajni vdiq në Princeton, New Jersey, SHBA më 18 prill, 1955.
Biografia
Albert Ajnshtajn lindi në Ulm të Gjermanisë në vitin 1879, në një
familje hebreje. I ati ishte pronar i një fabrike që prodhonte pajisje
elektrike, ndërsa e ëma pëlqente librat dhe muzikën. Vetë Ajnshtajni
ishte fëmijë i mbyllur, i cili filloi të fliste vonë dhe kishte
vështirësi të mësonte për të lexuar.
Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i ngjalli
djalit një interes të paparë për gjilpërën magnetike dhe fenomenet
natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i
shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Ajnshtajni e kishte të vështirë të kuptonte koncepte të tilla në atë
moshë.
Në komentet e tij për vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn kujtonte se
nuk e kishte me qejf shkollën. Metoda e prerë mësimore, ku nxënësve nuk
u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndjehej si i burgosur.
Por me kalimin e viteve, fizikani i ardhshëm zhvilloi një dashuri të
madhe për matematikë. Ai filloi të mësonte logaritmet dhe pjesë të
tjera të vështira të matematikës, ndërkohë që moshatarët e tij ende
mësonin aritmetikën e thjeshtë. Albert Ajnshtajn ndoqi më pas
Institutin Politeknik në Zyrih të Zvicrës, ku studioi fizikë dhe
matematikë. Pas diplomimit ai punoi për qeverinë zvicerane si inspektor
patentash për shpikjet e reja. Gjatë kësaj periudhe ai filloi punën për
teoritë e tij të ardhshme shkencore.
Në një nga punimet e tij shkencore ai shpjegon se drita lëviz përmes
valëve dhe pjesëzave, një nga elementët e rëndësishëm të teorisë së tij
kuantike.
Në një tjetër punim ai flet për pjesëza të vogla që pluskojnë në lëngje
apo në trupa të gaztë, e cila mbështet teorinë e përbërjes atomike të
materies.
Por teoria më e rëndësishme është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni
shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht
nga burimi i saj. Por ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe
varen nga vend-ndodhja e një personi në raport me një objekt apo një
ngjarje.
Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një
nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar
Teoria e Relativitetit. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të
zgjeruar të kësaj vepre me titullin Teoria e Përgjithshme e
Relativitetit, ku përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar
fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe
forcën e rëndesës. Ajnshtajni thotë se objektet humbasin masë kur
emetojnë dritë, pasi drita është një formë energjie.
Në vitin 1921 Ajnshtajni fitoi Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e
ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa
metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky
zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radios dhe
televizionit.
Albert Ajnshtajn punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Ai u largua
nga Evropa kur në 1933 erdhi në pushtet Adolf Hitleri. Fizikanti u
vendos në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi punën e tij shkencore në
Institutin për Studime të Avancuara në Princeton, Nju Xhersi. Megjithë
famën e tij, Ajnshtajni ishte një njeri i thjeshtë, i veshur me rroba
të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehur. Studentët e tij
tregojnë se ai kishte aftësinë të ilustronte ide shumë të vështira me
figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme.
Megjithëse ishte kundër luftës, Ajnshtajni i shkroi presidentit
amerikan Franklin Ruzvelt në vitin 1939 për ta nxitur që Shtetet e
Bashkuara të prodhonin bombën bërthamore para Gjermanisë. Albert
Ajnshtajni vdiq në moshën 76 vjeçare në vitin 1955.
Thënie të Ajnshatjnit
- Përfytyrimi
është më i rëndësishëm se dituria. Sepse dituria ka kufi, ndërsa
përfytyrimi rrok të gjithë botën, duke nxitur përparimin, e duke i
dhënë jetë zhvillimit.
- Gjëja më e pakuptueshme për botën është se ajo është e kuptueshme.
- Një njeri i lumtur është tepër i kënaqur me të tashmen për të banuar tepër në të ardhmen.
- Jeta është si vozitja e një biçiklete. Për të mbajtur baraspeshën duhet të vazhdosh ti japësh.
- Mos bëj kurrë ndonjë gjë kundër ndërgjegjes madje edhe po ta kërkoi gjendja.
- Unë nuk kam dhunti. Unë jam vetëm kureshtar i sëmurë.
- Përpiqu të mos bëhesh një njeri i suksesit, por mundoju më mirë të bëhesh një njeri me vlerë. (f.p.f. një njeri i vlerës).