ALFABETET origjinale shqiptare
Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761)
është teksti më i hershëm Shqip i shkruar me një alfabet origjinal.
Autor është Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës,
i cili qëndroi pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan para hartimit të
dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta
kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në
Dorëshkrimin Elbasanas: Ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë
latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në
Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara në një alfabet
prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma të rralla. Shumica e
gërmave të këtij alfabetit janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve
dhe të alfabeteve të popujve fqinjë.
Në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve gjëndet një vizatim dhe
afër dymbëdhjetë fjalë të shkruar me një alfabet i cili ndryshon
krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por i pa zbërthyer akoma.
Alfabeti i Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, i cili është
një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor në mënyrë
sporadike në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.
Alfabeti i Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154
faqesh. Në faqen 104 gjejmë dy radhë Shqip të shkruara me një alfabet
origjinal prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja.
Nga Gjirokastra kemi një alfabet tjetër nga fundi i shekullit XVIII ose
nga fillimi i shekullit XIX, i cili është një sistem grafik prej 22
gërmash, por pak i përhapur.
Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jani
Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore
greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar shqip grekërve. Gjuhën
shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 gërmash në bazë të
latinishtes dhe të greqishtes.
Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korçfarë prej 33 gërmash
të botuarai në abetare e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e këtij
alfabeti, i cili i ngjan një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët.
Kjo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 ishte një kohë shumëllojshmërie shkrimesh të habitshme në Shqipëri.
Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me DHJETË ALFABETE: shtatë
alfabetet origjinale të lartëpërmendur si dhe përshtatjet pas vitit
1850 të alfabeteve latin, grek dhe arab.
Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe
të mbijetonte me një madhështi të tillë letrare. Egzistenca e tyre
çjerr poshtërsinë me të cilën u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin
e Berlinit më 1878 ku iu tha në vend të JO-së për shtetin Shqiptar se:
nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Ndërkohë që kishte jo një,
por 10 alfabete që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.
Shkrimi është mbështetur në botime përkatëse të mëparshme