Pershendetje vizitor i nderuar...
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te identifikoheni qe te merrni pjese ne
diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

- Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...

-Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen qe fute ne dispozicion per te n'a vizituar ne ueb-faqen tone.

Me Respekt dhe Kenaqesi:
Staffi i Forumit : Rinia e Ferizajit



 
ForumForum  PortaliPortali  CalendarCalendar  GalleryGallery  PytësoriPytësori  KërkoKërko  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Letersia shqiptare

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Dardani
Administrator
Administrator
avatar

Numri i postimeve : 756
Filloi me : 18/05/2009
Mosha : 28
Vendodhja : Loptop Vista Ultimate

MesazhTitulli: Letersia shqiptare   Tue May 19, 2009 6:08 pm

Letersia shqiptare








Në kulturën e shqiptarëve ka lënë gjurmën e saj të thellë historia e tyre e brendshme dhe e jashtme.
Pjesë e trevave të lashta ilirike, udhë kryqëzimi e qytetërimeve dhe e
interesave gjeopolitike gjatë dyndjeve barbare e më pas, provincë e
perandorive të perëndimit dhe të Lindjes, të Romës e të Bizantit, pasi
kishte bërë e çbërë gjatë shekujve, despotate e principata të pavarura,
dhe pasi kishte formuar më së fundi shtetin e Skënderbeut, i cili u
qëndroi për një çerek shekulli hordhive osmanve, duke u kthyer në
mburojë të krishtërimit dhe të qytetërimit europian, Shqipëria e
cfilitur nga luftërat, pas vdekjes së heroit të rezistencës së saj,
Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), kishte rënë në fund të shek.XV nën
zgjedhën e Perandorisë së Sulltanëve.
Vendi ishte kthyer pas në një fazë zhvillimi ekonomiko-shoqëror
historikisht të kapërcyer. Rrjedhat normale të kulturës shqiptare, që
ecte në një hap me humanizmin evropian, u ndërprenë. Pasoja e parë e
pushtimit ishte hemoragjia e elitës intelektuale në Perëndim. Prej saj
u shquan figura, që bënë emër në botën humaniste, si historiani M.
Barleti (1460-1513), që botoi në Romë më 1510 një histori të
Skënderbeut, e cila u përkthye thuajse në të gjitha gjuhët e Evropës,
ose M. Beçikemi (1408-1526), Gj. Gazulli (1400-1455), L. Tomeu
(1456-1531), M. Maruli (shek. XV), M. Artioti (1480-1556) e të tjerë,
që u dalluan në fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të filozofisë.
Ndërkaq, në vend jeta kulturore u fashit, monumentet e kulturës
materiale e shpirtërore u zhdukën nën rrënojat e shkatërrimit të
luftërave; gjysmëhëna e uli kryqin dhe gati dy të tretat e popullatës
në fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë islame. Por ky ndryshim
drastik i strukturës fetare nuk pengoi që Shqipëria të ishte përherë
një nga provincat më të paqeta të Perandorisë dhe as që kultura
shqiptare të mbijetonte edhe në kushtet e një pushtimi disashekullor,
nën trysninë e islamit e të botës kulturore të orientit, që pati një
ndikim të thellë e të gjithanshëm në të, veçse pa arritur të shtypë
natyrën shqiptare të kulturës vendëse.
Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh në radhë të parë përmes lëvrimit
të shqipes në lëmë të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht të
qarkut konfesional katolik në veri, por edhe ortodoks në jug.
Reforma protestante gjallëroi shpresat e zhvillimit të gjuhës e të
traditës letrare vendëse kur prifti Gj. Buzuku solli në shqip
liturgjinë katolike, duke dashur të bëjë për shqipen atë që bëri Luteri
për gjermanishten.
“Meshari” i Gj. Buzukut, botuar prej tij më 1555, mbahet deri më sot,
si e para vepër e shqipes së shkruar. Niveli i përpunuar i gjuhës dhe
ortografia e stabilizuar duhet të jetë rezultat i një tradite më të
hershme të shkrimit të shqipes, traditë që nuk njihet. Por ekzistojnë
disa dëshmi fragmentare më të hershme se vepra e Buzukut, të cilat
flasin për shkrimin e shqipes të paktën nga shek.XIV:
E para dëshmi që njihet është e vitit 1332, e domenikanit freng Gulielm
Adale, kryepeshkop i Tivarit, i cili në një relacion latinisht shkruan
se shqiptarët kanë në përdorim në librat e tyre shkronjat latine edhe
pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja. Me rëndësi të
vecantë jane: një formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit Atit et
Bizit et spertit senit) e vitit 1492, shkruar shqip brenda një teksti
latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; nje fjalor me glosa
shqip i vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf, i cili pat kaluar si
udhëtar në Shqipëri dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po
shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XIV
Shkrimet shqip të këtyre shekujve s’duhet të kenë qenë vetëm tekste
fetare, por dhe kronika historike, për të cilat flet humanisti M.
Barleti, i cili në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” (1504) pohon se
ka pasur në dorë kronika të tilla të shkruara në gjuhën e popullit (in
vernacula lingua).
Me gjithë pengesat që krijoi Kundërreforma për lëvrimin e gjuhëve
nacionale në literaturën kishtare, ky proces nuk u ndërpre. Gjatë shek.
XVI-XVII u botuan në shqip katekizma “E mbësuame krishterë” (1592) e L.
Matrëngës, “Doktrina e krishterë” (1618) dhe “Rituale romanum” (1621)
të P. Budit, shkrimtari i parë i prozës dhe i poezisë origjinale
shqipe, një apologji për Gjergj Kastriotin (1636) nga F. Bardhi, i cili
botoi edhe një fjalor e lëndë folklorike, traktati teologjik-filozofik
“Çeta e Profetëve” (1685) i P. Bogdanit, mendja më universale e
mesjetës shqiptare.
Vepra e Bogdanit është një traktat teologjik-filozofik që trajton me
origjinalitet, duke shkrirë të dhëna nga burime të ndryshme, çështje
kryesore të teologjisë dhe një histori biblike të plotë, si dhe
probleme të komplikuara të skolastikës, të kozmogonisë, astronomisë,
pedagogjisë, etj. Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën humaniste
dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut; ai me
veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar, shënoi një
kthesë në historinë e letërsisë shqipe.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://riniafr.albanianforum.net
Dardani
Administrator
Administrator
avatar

Numri i postimeve : 756
Filloi me : 18/05/2009
Mosha : 28
Vendodhja : Loptop Vista Ultimate

MesazhTitulli: Re: Letersia shqiptare   Tue May 19, 2009 6:09 pm

Gjatë shekullit XVIII njohu një gjallërim më të madh literatura e
qarkut kulturor konfensional ortodoks e mysliman. Një anonim prej
Elbasanit sjell në shqip copa të ungjillit, T. H. Filipi, po prej
Elbasanit, “Dhjatën e Vjetër dhe të Re”. Këto përpjekje u shumuan në
shekullin e ardhshëm, me botimin më 1827 të tekstit integral të
“Dhjatës së Re” nga G. Gjirokastriti dhe me korpusin e madh të
përkthimeve kishtare të K. Kristoforidhit (1830-1895), në dy dialektet
e shqipes, botime që ndihmuan procesin e integrimit të tyre në një
gjuhë letrare të njësuar dhe vunë bazat për krijimin e kishës kombëtare
të shqiptarëve me liturgjinë në gjuhën e tyre.
Ndonëse në kahje të kundërt me këtë prirje, duhet përmendur edhe
kultura e Voskopojës, e cila gjatë shek. XVIII u bë një vatër e madhe
qytetërimi dhe metropol i gadishullit ballkanik, me një Akademi e
shtypshkronjë dhe me personalitete si T. Kavalioti, Dh. Haxhiu, G.
Voskopojari, veprat diturore, filologjike, teologjike e filozofike të
të cilëve objektivisht i ndihmonin shkrimit e njohjes së shqipes.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë, ishte kryesisht në gjuhën
greke, nevoja për t’i vënë gardh islamizmit, bën të domosdoshme edhe
përdorimin e gjuhëve amtare, duke inkurajuar zhvillimin e kulturave
kombëtare. Në shkollat e Voskopojës u përdorën dhe arumanishtja e
shqipja për mësimin e greqishtes, kurse në shtypshkronjën e saj u
shtypën edhe libra arumanisht.
Veprat e shkrimtarëve dhe dijetarëve të Voskopojës kanë sjellë disa
elemente të ideve të iluminizmit evropian. Më i shquari ndër ta, Teodor
Kavaljoti është një erudit i kohës. Sipas dëshmive të profesorit
gjerman Thunman, vepra e Kavaljotit, që mbeti e pabotuar, në pjesën më
të madhe ka trajtuar çështje pothuajse nga të gjitha degët e shkencës
filozofike. Në të ndjehet ndikimi i Platonit, Dekartit, Malëbranshit
dhe Leibnicit.
Rezultat i ndikimit të islamit dhe të kulturës së pushtuesit, ishte
formimi gjatë shek. XVIII i një shkolle poetike, ose i një letërsie të
shkruar në gjuhën shqipe, por me alfabetin arab. Autorë të saj si: N.
Frakulla, M. Kyçyku, S. Naibi, H. Z. Kamberi, Sh. e D. Frashëri, Sheh
Mala, e të tjerë, trajtuan në veprat e tyre motive të huajtura nga
letërsitë orientale, shkruan mevludë e divane me një gjuhë të mbytur
nga orientalizmat, lëvruan lirikën dhe epin religjioz. Kjo shkollë nuk
pati jetë të gjatë dhe as ndikim të veçantë në zhvillimet e pastajme
letrare.
Për të plotësuar kuadrin e zhvillimit kulturor të Shqipërisë në shek.
XVI-XVIII duhet shënuar, se pati nga autorë vendës vepra të shquara në
fushë të arkitekturës dhe të pikturës ikonografike, ku u dalluan Onufri
dhe i biri Nikolla (shek. XVI) dhe K. Shpataraku e D. Selenica (shek.
XVIII) të cilët vazhduan traditën e artit fetar post-bizantin, por jo
pa ndikime nga Rilindja europiane. Në fushë të artit islam mund të
përmenden kryesisht ndërtimet e kultit.
Shekulli XIX, shekulli i lëvizjeve nacionale në Ballkan, i gjente
shqiptarët pa një traditë të mjaftueshme të zhvillimit shtetëror,
gjuhësor e kulturor unitar, me një mendësi individualiste dhe
regjionaliste, të trashëguar nga psikologjia e bajrakut dhe e fisit,
për pajosë me një vetëdije kombëtare të pazhvilluar, por me një shpirt
rebelimi spontan. Në këtë situatë historiko-kulturore nisi të merrte
jetë një lëvizje e organizuar mendore dhe letrare që mori emrin
Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ajo u frymëzua nga idetë e romantizmit
nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan në rrethet e inteligjencës
shqiptare, e cila jetonte kryesisht në mërgim, në kolonitë e vjetra
shqiptare në Itali dhe në ngulimet më të reja në Stamboll, Bukuresht,
SHBA, Sofje e Kajro.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://riniafr.albanianforum.net
Dardani
Administrator
Administrator
avatar

Numri i postimeve : 756
Filloi me : 18/05/2009
Mosha : 28
Vendodhja : Loptop Vista Ultimate

MesazhTitulli: Re: Letersia shqiptare   Tue May 19, 2009 6:09 pm

Ringjallja nacionale, mbrujtja e shqipes si gjuhë e kulturës,
organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi i letërsisë kombëtare, në
rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit të pavarur, në rrafshin
politik, këto ishin synimet e kësaj lëvizjeje prej së cilës lindi
shkolla e romantizmit shqiptar. Ishte ky një romantizëm tipik
ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit kombëtar, me nostalgjinë e
mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit të mesjetës shqiptare,
domethënë të luftrave të Gjergj Kastriotit. Kjo shkollë letrare lëvroi
kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar, e
më pak njeriu tragjik. Nga motivet dhe format poetike, ajo ka lidhje të
ngushta me traditën folklorike. Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në
fushë të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe” më 1866 nga De Rada,
“Përmbledhje të këngëve popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare” më
1871 nga Z. Jubani, “Bleta shqiptare” më 1878 nga Th. Mitko, etj.),
ishin pjesë e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e
identitetit etnokulturor të shqiptarëve.
Dy janë përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit shqiptar të shek.
XIX: J. De Rada (1814-1903), lindur e vdekur në diasporën shqiptare në
Itali e shkolluar atje dhe N. Frashëri (1846-199), lindur në Shqipëri,
i shkolluar në Zosimea të Janinës, por i mërguar dhe vdekur në
Stamboll. I pari është poeti romantik shqiptar i rritur në klimën e
romantizmit europian, i dyti romantiku shqiptar që tret në poezinë e
tij ndikimet e poezisë lindore, sidomos persiane, me frymën dhe
shpirtin e poezisë së romaantizmit perëndimor.
De Rada shkroi një cikël poemash epiko-lirike në stilin e rapsodive
shqiptare: “Këngët e Milosaos”, 1836, “Serafina Topia” 1839,
“Skënderbeu i pafat” 1872-1874 etj. me ambicjen që të krijonte eposin
nacional për shekullin e Skënderbeut.
Pas gjurmëve të Herderit, De Rada zgjoi në poezinë e tij mallin e për
këngën popullore dhe e ngjyrosi atë me koloritin etnografik. Veprat e
tij janë pasqyrë e jetës shqiptare me zakonet dhe mendësinë e saj
karakteristike, si dhe dramën shqiptare të shek. XV, kur polemi i tij i
panënshtruar ra nën zgjedhën e osmanëve. Konflikti midis lumturisë së
individit dhe tragjedisë së kombit, skenat ndanë kroit në katund, gratë
që mbledhin kallëza në ara, burri që shkon në luftë dhe gruaja që i
qendis brezin, të gjitha të paraqitura me një ndjenjë lirizmi të hollë,
ja ç’është poezia e këtij poeti romantik, që u rrit në klimën politike
të lëvizjes nacionale të shqiptarëve dhe në klimën letrare të
romantizmit kalabrez.
Naim Frashëri shkroi një poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”, 1886) një
përmbledhje lirikash filosofike, atdhetare e dashurore (“Lulet e verës”
1890), një poemë epike për Skënderbenë (“Histori e Skënderbeut” 1898)
një poemë epike religjoze (“Qerbelaja” 1898) dy poema greqisht (“O
eros” e “O alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash persisht
(“Tehajylat” - Ëndërrime) dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si
poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve.
Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në poezinë shqipe. Në frymën e
“Bukolikëve” e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit, ai në poemën “Bagëti e
bujqësia” u këndoi punëve të bujkut e të bariut duke i thurur një himn
bukurive të atdheut të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit të
mërguar dhe krenarinë e qënies shqiptar. Nuk është çudi që, duke jetuar
në zemrën e perandorisë së osmanëve, në Stamboll, të përjetonte aq
thellë fatin e atdheut të tij. Malli për vendlindjen, për malet dhe
fushat e Shqipërisë, për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë, i
japin forcë e vrull lirik frymëzimit të tij.
Përjetimet subjektive të individit të çliruar nga prangat e
mentalitetit mesjetar oriental, nga një anë, dhe nga ana tjetër
panteizmi filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me panteizmin poetik
të shkollës së romantizmit evropian, u japin meditimeve lirike të
Frashërit një dimension human e filozofik universal. Poezitë më të
bukura të përmbledhjes “Lulet e verës”, janë lirikat filozofike për
jetën dhe vdekjen, për kohën që ikën dhe s’kthehet më, duke lënë pas
kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut, për krijuesin të shkrirë me
universin.
Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi, Frashëri është një poet
metafizik, që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën helenistike,
me mistikën e lashtë orientale e islame. I ndodhur në kryqëzimin e
traditave poetike e filozofike lindore e perëndimore, N. Frashëri i
tret ato në njëra-tjetrën, por pa shtypur natyrën e tij shqiptare.
Kultura dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan substratin iluminist të
veprës së Frashërit, qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik,
kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij. Por duhet veçuar në
veprën e tij fryma frënge. Fryma frënge në Greqi dhe në Turqi ishte
përfaqësuese e kulturës evropiane. Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në
vendet ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve të këtij
gadishulli idetë e kryengritjes frënge dhe idenë e lirisë
përgjithësisht e të nacionalizmit modern. Njohës i gjuhës frënge,
admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar, dhe i Lamartinit si
poet, Frashëri e shikonte të ardhmen e kombit të vet “të lindëte andej
nga perëndon”. Romantizmi i Naimit në këtë pikë nuk dallon prej
romantizmit grek e turk, ato janë pjella e Francës.
Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe
i gjuhës letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në rendin e një gjuhe
moderne të kulturës duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit të
shqipes popullore.
Botën subjektive të heroit romantik me shpirt të trazuar e sjell në
romantizmin shqiptar poezia e Z. Serembes. Në poezinë e N. Mjedës dhe
A. Z. Çajupit, që jetuan në fundin e Rilindjes, shfaqen shenjat e
dezintegrimit të sistemit artistik të romantizmit në letërsinë shqipe.
A.Z Çajupi (1866-1930), është një poet rustik, i tipit të këngëtarit
popullor, i mbiquajtur Mistrali i Shqipërisë; ai i solli letërsisë
shqipe komedinë e zakoneve dhe tragjedinë me temë historike. I
shkolluar në një kolegj francez të Aleksandrisë dhe në Universitetin e
Gjenevës, njohës i mirë i letërsisë franceze, A. Z. Çajupi solli ndër
të parët në shqip fabulat e La Fontenit, duke hapur kështu udhën e
përkthimit e të përshtatjes në gjuhën shqipe, të veprave nga letërsisa
botërore, që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga udhët e mëdha të
komunikimit të shqiptarëve me kulturën botërore.
Me krijimin e shtetit shqiptar (1912) shkolla romantike e lindur në
truallin e lëvizjes kombëtare, e humbi bazën e vet historike; ideja
kombëtare i lë udhën idesë njerëzore dhe në zhvillimin e letërsisë
shqiptare shfaqen prirje e stile të reja.
Drejtimi kryesor që mori letërsia shqipe në mes dy luftrave botërore
ishte realizimi, por nuk munguan as shfaqje të një sentimentalizmi të
vonuar (F. Postoli), as recidive të romantizmit.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://riniafr.albanianforum.net
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: Letersia shqiptare   

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Letersia shqiptare
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» ARMATA KOMBËTARE SHQIPTARE-D E K L A R A T Ë
» Ramiz Dërmaku: Kadri Mani - Personaliteti me rëndësi kombëtare
» Adem Berisha:Lediana Kapaj - Margaritar i ri i artit dhe kulturës shqiptare nga mërgimi
» Kryeministri Thaçi: Rugova është emër i krenarisë shqiptare
» Ky është mesazhi prekës i Lutfi Hazirit për babën e tij që sonte ndërroi jetë!

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Rinia e Ferizajit :: Letërsia shqipe dhe botërore-
Kërce tek: